KUSH ËSHTË VUSH

Gjurmët e para të të Krishterëve Ungjillorë i gjejmë në vitin 1819 kur Pinkertoni nga Shoqëria Biblike Britanike dhe për të Huaj konsultohet me Vangjel Meksin të përkthejë Dhjatën e Re në shqip. Meksi ishte një shqiptar i mirë-arsimuar që kishte filluar të zhvillonte një interes për krijimin e një gjuhe shqipe të shkruar. Vangjel Meksi u ngarkua për përkthimin e Dhjatës së Re duke përdorur shkronjat greke, e cila u botua më 1827.

Në vitin 1864 kjo Shoqëri ngarkoi Konstandin Kristoforidhin ta ripërkthente Dhjatën e Re në dialektet Geg dhe Tosk me shkronja latine, punë e cila përfundoi në vitin 1884. Përpara se të kryente këtë punë të mirë, Kristoforidhi hyri në kontakt me njerëzit duke udhëtuar në krahina të ndryshme veriore dhe jugore, për të mbledhur fraza e shprehje për të pasuruar fjalorin e tij në shqip. Sipas albanologut të njohur R. Elsie “këto përkthime shërbyen si një themel për krijimin e një gjuhe letrare moderne, në dy variante dialektesh“. Ndërkohë u financua edhe botimi i “Gramatika” e Kristoforidhit. Ungjillorët shkonin qytet më qytet për të përhapur Bibla, por edhe abetare e gramatika të gjuhës shqipe.

Alexander Thompson, i deleguar nga SHBBH në Shqipëri besonte se shqiptarët kishin të drejtë të kishin një formë të shkruar të gjuhës së tyre amtare. Aq më tepër që ungjilli ekzistonte në shqip, ai pa nevojën tek njerëzit që të njihnin Krishtin. Thompson ikurajoi shumë shqiptarë dhe të huaj që të udhëtonin nëpër Shqipëri e t’u sillnin pranë ungjillin shqiptarëve.

Më 1873 ungjillorët që erdhën në Manastir patën ndikim në jetën e Gjerasim Qiriazit. Në vitin 1883 Gjerasimi ne bashkepunim me Thompsonin filloi të shpërndajë Bibla e të përhapë Ungjillin nëpër Shqipëri. Ndërkohë ai zhvillonte shërbesa fetare në gjuhën shqipe dhe në këto shërbesa mblidheshin qindra njerëz.

Kontributi i madh i Ungjillorëve në zhvillimin e letrave shqipe.

Në tetor të vitit 1891 së bashku me të motrën, Sevastinë, Gjerasimi hapi “Shkollën e Vashave”, e cila do të përbënte një ngjarje të rëndësishme në arsimin tonë kombëtar. Shkolla e Vashave shënoi një arritje të shkëlqyer në zhvillimin e letrave shqipe, e cila u ndërtua sipas programeve bashkëkohore të vendeve të qytetëruara, por boshti i saj kishte frymë të theksuar kombëtare. Të gjitha lëndët zhvilloheshin në gjuhën shqipe me tekste të përgatitura nga figura të shquara shqiptare dhe motrat Qiriazi. Pas Kongresit të Manastirit të vitit 1908, Parashqevia sëbashku me Sevastinë hartuan të parën abetare për shkollën e tyre ku vetë motrat Qiriazi, Fanka Eftimiu dhe Polikseni Luarasi do t’u mësonin fëmijëve gjuhën amëtare. “Shkolla e Vashave” shërbeu si një shkëndijë atdhedashurie e emancipimi që motrat Qiriazi ndezën me hapjen e së parës shkollë vajzash.

shkolla e vashave

Në 14 Nëntor 1892, Gjerasim Qiriazi me një grup atdhetarësh si: Sevasti Qiriazi, Grigor Cilka, Herakli Bogdani, Ligor Çina, Fanka Eftimiu si dhe P.N.Luarasi themelon “VËLLAZËRINË UNGJILLORE”. Synimi i tyre ishte i trefishtë: 1) përhapja e Ungjillit në Shqipëri; 2) botimi i letërsisë shqipe; 3) hapja dhe drejtimi i shkollave shqipe. Shkollat dhe librat ishin vizioni rilindës i ungjillorëve të cilët patën meritën për hapjen e 5 “institucioneve”: gazetën “Letra e Vëllazërisë” që datohet si gazeta e parë në shqip; Shkollën e së Dielës; Shkollën e Vajzave; Kishën Ungjillore; Shoqatën ungjillore- letrare” Vëllazëria Ungjillore”.

Më 1908 Ungjillorët morën pjesë aktivisht në organizimin dhe punimet e Kongresit të Manastirit. Gjergj Qiriazi ishte zv/Kryetar i ketij kongresi. Gjithashtu, ai ishte nje nga themeluesit e botimit të gazetës “Bashkimi i Kombit” e cila botonte shumë letërsi shqipe duke u mundësuar shqiptarëve të mësonin, lexonin dhe të shkruanin gjuhën e tyre. Në mes të persekutimeve, paragjykimeve, çkishërimeve, pengesave nga Porta e Lartë, ungjillorët punuan aktivisht jo vetëm për përhapjen e mesazhit të Ungjillit, por edhe për përhapjen e gjuhës, letërsisë e shkollave shqipe.

images

Në Kongresin e  Manastirit, Parashqevi Qiriazi pati  nderin të ishte e vetmja delegate femër dhe gruaja e parë në histori që mori pjesë në një forum mbarëshqiptar. Ajo foli në konferencë për nevojën e një alfabeti të pranuar nga të gjithë. Ajo themeloi “Yll’i Mëngjesit” më 1909, e cila njihet si e para shoqëri e grave shqiptare. Qëllimi i shoqërisë ishte të përhapte shkollimin mes grave shqiptare. Më 1909 Parashqevia botoi “Abetare për Shkollat e Para” duke u bërë kështu e para autore femër e teksteve shkollore në shqip. Ajo kompozoi një këngë për alfabetin e cila u bë himn kombëtar.

Pastor Grigor Cilka, luajti një rol të rëndësishëm në përpjekjen e Shqipërisë për pavarësi dhe qe bashkëpunëtor me Gjerasimin për punën e ungjillit. Cilka ishte pastor i Kishës Ungjillore në Korçë , ku predikoi në shqip  si edhe dha mësim në Shkollën e Vashave në gjuhën shqipe. Më 1908 ishte delegat në Kongres ku dha kontributin e tij duke folur për çështjen shqipe si edhe ishte pjesë e Komisionit të Alfabetit.

Thanas Sina, gjatë jetës së tij u dallua si një mësues, patriot, predikues, botues e përkthyes i Biblës.
Thanas Sina i ka shërbyer me besnikëri Shoqërisë Biblike Britanike për Vendet e Huaja dhe Vëllazërisë Ungjillore. Ishte një nga tre mësuesit e parë të gjuhës shqipe në shkollën e parë për djem në Korçë si dhe dha mësim në Shkollën e Vashave. Qysh më 1895, njihet si një predikues i shkëlqyer në Korçë, ku puna me Ungjillin i kishte rrënjët e saj deri në rënien e komunizmit. Thanas Sina bashkëpunoi me Alezander Thompson për përkthimin e Biblës; redaktoi Dhjatën e Re në toskërisht me Gjergj Qiriazin, gjithashtu redaktoi edhe librin e Psalmeve, Fjalët e Urta, Predikuesin, Isaian dhe Samuelin. Sina ndihmoi Bordin Amerikan të Komisioneve për Misionin e Jashtëm dhe Edith Durhamin në shpërndarjen e ndihmave gjatë Luftës së 2-të Botërore. Ky mësues e predikues dallohet njëherësh për kontributin e dhënë në letrat shqipe si edhe në kishën Ungjillore të kohës.

Komuniteti i Krishterë Ungjillor vazhdoi të gëzonte një rritje të palëkundur dhe në vitin 1940 krenohej me një anëtarësi prej disa qindra vetësh.

Gjatë regjimit Komunist ungjillorët pësuan persekutime,  kështu që me ardhjen e demokracisë kishin mbetur rreth pesë burra besimtarë nga Kisha e Korçës e kohës së paraluftës.
Me ardhjen e demokracisë në vitin 1992, VËLLAZËRIA UNGJILLORE E SHQIPËRISË rinis veprimtarinë e saj, në vazhdim të punës dhe veprës së të krishterëve shqiptarë të shekujve të parë dhe të atdhetarëve Ungjillorë si Gjerasim Qiriazi, Grigor Cilka, Kristo Dako etj.

Sot, komuniteti ungjillor, është shtrirë përmes kishave lokale në çdo qytet të Shqipërisë dhe vazhdon të japë kontributin e tij jo vetëm në transformimin shpirtëror të shqiptarëve, por edhe në çdo fushë të jetës së vendit. Ky kontribut përkthehet në hapje shkollash, kopshtesh, kursesh profesionale, shtëpi fëmijësh, azile, qendra shëndetësore e klinika, projekte sociale për fëmijë, të varfër, pensionistë, të burgosur etj.

Të krishterët ungjillorë i gjen në çdo fushë të jetës së vendit si qytetarë dhe shtetas të devotshëm e të ndershëm. Ata besojnë se mesazhi i Ungjillit mund të transformojë pozitivisht jetën e një individi, të një familjeje, të një komuniteti dhe të krejt shqiptarëve.

Mund të vazhdoni duke dhënë donacione drejtpërdrejt në llogarinë tonë bankare ne Intesa San Paulo:

AL94208110080000001003131800 USD
AL40208110080000001003131802 LEK
AL83208110080000001003131804 EURO