
Këto ditë Shqipëria po kalon një kohë të vështirë, dhe Vëllazëria Ungjillore, ka menduar që në këto kohë të jemi pranë popullit tonë, pranë gjithë shqiptarëve në nevojë. Gjatë javëve të fundit kemi ndihmuar me mbi 1500 pako ushqimore/ javë për familjet në nevojë, ne Tiranë dhe rrethe. Sot është hera e dytë që dhurojmë mjete të higjenës, për të cilat mjekët në Spitalin Infektiv na kanë komunikuar se kanë nevojë.
Për ne, si Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë dhe gjithë komunitetin tonë ungjillor kjo është koha më e veçantë e vitit, sepse festojmë Pashkën. Në Pashkë, Perëndia dhuroi më të çmuarin Bir, të vetmëlindurin, dhe ne si komunitet, në këtë kohë, dhurojmë gjithashtu. Dhurojme atje ku nevojat janë më të mëdha, e përmes të dhënit tregojmë dashurinë që Perëndia ka treguar ndaj nesh. Pashka është çlirim, është vdekja dhe ringjallja e Krishtit, dhe përmes këtij akti sublim, ne kapemi fort në shpresën e jetës dhe vazhdimësinë e saj. Ky është edhe mesazhi i shpresës që ne duam të përcjellim pikërisht sot, në këtë ditë feste dhe gëzimi. Jemi falenderues Perëndisë që kjo situatë e vështirë që mban të mbërthyer jo vetëm vendin tonë, por pothuajse gjithë botën, përkon sot me këtë ditë gëzimi, shprese dhe fitoreje, me veprën madhështore të Zotit tonë të Ringjallur. Perëndia ynë e mundi vdekjen dhe ne sot festojmë shpresën dhe jetën me bollëk. Pavarësisht situatës që po kalojmë, Perëndia ynë është Zoti sovran dhe i lartësuar duke u kujdesur për ne, për vendin tonë.
Këtë mesazh të shpresës ne duam ta ndajmë sot me ju, pikërisht në këtë vend, ku mjekët të cilët janë në vijën e parë të luftës kundër Covid – 19, e që pa dyshim janë duke bërë vërtet një punë të shkëlqyer me pacientët e kontaminuar me infeksionin. Përveçse i falenderojmë ata për punën që po bëjnë, ne lutemi për ta duke i ngritur lart para Perëndisë sonë për mbrojtjen dhe qetësinë e Tij. Patjetër që përveçse mjekëve, dhe pacientëve që ndodhen të shtruar në këtë spital, ne e ndajmë këtë mesazh shprese me të gjithë shqiptarët në çdo cep të vendit. Perëndia është me ne, me kombin tonë dhe ne do të qëndrojmë të sigurt në mbrojtjen e Tij.
Gjithashtu, duke qënë se shumë prej mjekëve të Spitalit Infektiv nuk do të jenë duke festuar nesër, por do të jenë në krye të detyrës, duke u shërbyer pacientëve të tyre, ne duam të vijmë përsëri pranë tyre dhe të ofrojmë drekën e Pashkës. Kjo është një tjetër mënyrë mirënjohjeje dhe falenderimi për punën e tyre.
Gëzuar Pashkën dhe Zoti ju bekoftë!