Monda që jeton vetëm në katin e gjashtë të pallatit e gjeti veten të hedhur përtokë dhe të përplasur sa nga një anë në tjetrën kur ra tërmeti i 21 Shtatorit. E trembur natyrshëm dhe e corientuar përpiqet të vishet përshtatshëm për të dalë jashtë si cdo grua shqiptare por nuk ka kohë dhe nëpër shkalle takohet me komshinjtë dhe fëmijët që qajnë. Monda është kushërira ime dhe në mesnatë kur një tjetër lëkundje e nxjerr nga krevati dhe komshinjtë po braktisin pallatin ajo telefonon dhe vjen të kalojë natën me familjen time. Tërmetet dhe trazirat janë nje rast për të afruar njerëzit tek njëri tjetri dhe gjithashtu për të reflektuar për jetën dhe vdekjen duke na afruar edhe tek Perëndia.
Po të kishte ndodhur ky tërmet në një ditë jave dhe jo të shtunën suvaja që ra para fakultetit teë gjeologjisë me siguri do kishte shkaktuar vdekjen e shumë studenteve që rrijnë përballë dyerve ku ranë tullat dhe suvaja që shkatërroi makinat e parkuara dhe kjo ngjall shumë ndjenja e mendime njëkohësisht. Njerëzit natyrshëm kanë frikë nga vdekja dhe nga pamja e pashmangshme e shkatërimit të jetës që tërmetet dhe tajfunet apo cunamet dhe permbytjet shkaktojnë por njerëzit nuk janë pa përvojë dhe pa mencuri në këto gjëra. Një tendencë e zakonshme në raste të tilla frike të përgjithshme janë prodhimi dhe përpunimi i ideve të ndryshme për fundin e botës që gjejnë rastin të fryjnë përsëri nëpër valët transmetuese të komunikimit që janë shumëfishuar në kohën tonë, prandaj është me vend të kuptojmë të vërtetën dhe te ruajme dinjitetin e një qëndrimi të pjekur dhe jo të tronditemi nga cdo frymë doktrine si fëmijë.
E para gjë që duhet kujtuar kur mendohet fundi i botës është që realiteti i vdekjes njerëzore është nje mësues i mencurisë qysh nga zanafilla e njeriut dhe cdo kulturë njerëzore ka ndërtuar strukturat e veta mbështetëse dhe interpretuese të jetës që vazhdon në këtë kontekst ku pashmangësia dhe paparashikueshmëria e vdekjes sundon. Dy mënyra të ndryshme të ballafaqimit me vdekjen tregojnë kontrastin e mundshëm në reagimet e njerëzve edhe sot: Filipi, mbreti i Maqedonisë, thuhet se kishte caktuar një ushtar të vinte pranë shtratit të tij sapo ai te zgjohej dhe të thoshte “Filip ti do të vdesësh një ditë, si do të jetosh sot?” dhe pa pritur përgjigje të largohej. Imagjino këtë përsëritje të përditshme të këtij rituali dhe krahasoje me vendimin e mbretit Luigj të Francës që kishte ndaluar të përmendej edhe fjala vdekje në praninë e tij. Të gjithë duhet të zgjedhin se afer cilës prej këtyre dy ekstremeve do kultivojnë mencurinë e të jetuarit në këtë botë ku vdekja është e pashmangshme. Kjo mencuri ndihmon kur diskutimi i fundit të botës ndizet herë pas here nga fetë apo bestytnitë e ndryshme.
Ne të krishterët në mënyrë të vecantë jemi ndihmuar nga Jezusi kur e pyetën për fundin e botës sic regjistrohet në Ungjijtë : “… cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?” (Mateu 24:3). Përgjigjia e Jezusit kishte qëllimin të qartësonte se shumë probleme si luftëra, zi buke, murtajë dhe tërmete do ishin të pranishme, por “të gjitha këto gjëra do jenë vetëm fillimi I dhembjeve të lindjes” prandaj “ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur” (Mateu 24:6,8).
Në mbyllje të këtij shpjegimi Jezusi thotë se qysh në kohën e dishepujve të tij të parë, pra qysh në shekullin e parë, këto shenja midis të tjerave do të shfaqeshin “Në të vërtet po ju them se ky brez nuk do të kalojë pa u realizuar të gjitha këto” (Mateu 24:34), dhe pasi të jenë realizuar këto atëherë Jezusi është gati për të ardhur “… kur t’i shihni këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje tek dera” (Mateu 24:33). Pothuajse të gjithë historianët dhe studiuesit bien dakord që shkatërrimi i Jeruzalemit me rrafshimin e tempullit në përfundim të luftërave dhe vuajtjeve të shumta në vitin 70 të shekullit të parë, bëri të qartë për dishepujt e Jezusit se këto shenja ishin plotësuar dhe tani pritej vetëm ardhja e Jezusit. Por, që askush të mos mashtrohet për kohën specifike të ardhjes së Jezusit dhe të fundit të botës shprehimisht përsëri Jezusi thotë: “Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im” (Mateu 24:36). Tërmetet dhe trazirat e tjera pra nuk janë automatikisht si zhurma e hapjes së derës për të hyrë Jezusi dhe për të ardhur fundi i botes; ato janë ngjarje treguese të nevojës dhe urgjencës së një bote në rënkim që ka nevojë për shërim dhe doktori vjen me vullnetin e tij në kohën e përcaktuar prej tij.
Bota është një krijesë dhe jo një rastësi që nuk kontrollohet dot nga askush. Krijuesi është me shumë si një Atë i mirë dhe jo një armik i jetës. Fundi i botës është një ditë gjykimi dhe jo një katastrofë natyrore. Tërmetet dhe trazirat si edhe pothuajse të gjitha shenjat e tjera që përmend Jezusi se do të ndodhin para ardhjes së tij janë të tilla që cdo brez njërezorë qysh nga shekulli i parë ka përjetuar në një masë apo tjetër dhe cdo brez me të drejtë ka pritur kthimin momental të Jezusit që tha se do të vinte pa paralajmërim tjetër por si hajduti vjen natën “prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni (Mateu 24:44).
Ka një arsye pse Ati akoma pret dhe gjykatësi që është Jezusi nuk ka ardhur deri sot; është pikërisht sepse dëshiron më shumë njerëz të ndryshojnë mendje dhe të pranojnë sakrificën e tij në kryq për mëkatin që të mos marrin dënimin që meritojnë sepse me ardhjen e tij mbaron cdo mundësi pendimi. Midis shenjave që do permbushen para ardhjes së Jezusit shprehimisht ai thotë se “… ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëhere do të vijë mbarimi” (Mateu 24:14). A ka ardhur ky ungjill tek cdo njeri? Ndoshta ti njeh atë person të fundit që do preket nga ungjilli dhe pastaj vjen Jezusi që është gëzim për të gjithë ata që besojnë.
Tërmetet dhe trazirat janë një rast për të afruar njerëzit tek njëri tjetri dhe tek Perëndia prandaj le të bëjmë më të mirën ndërsa kemi akoma kohë.
Ylli Doçi, PhD.
Kryetar,
Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë