Me rastin e 125-vjetorit të vdekjes së themeluesit të Vëllazërisë së Ungjillorëve, Gjerasim Qiriazit, ju përcjellim përkthimin e nekrologjisë së shkruar nga një misionar amerikan, Xhon Berd (John Baird), i cili e njohu nga afër. Kjo nekrologji u botua te: John Baird, “Rev. Gerasim D. Kyrias”, Missionary News from Bulgaria, 19 March 1894, nr. 49, 7–8:
Në fillim të vitit 1877, ndër frekuentuesit tanë na erdhi një djalë i ri shqiptar, i cili dëgjonte me vëmendje dhe, bashkë me disa të tjerë, filloi të kërkonte të vërtetën me përkushtim, si dhe të lexonte me kujdes Dhiatën në greqisht. Pa kaluar shumë kohë, ai u bashkua me ne dhe, që prej asaj kohe, e deri në fund të jetës së tij, ishte një i krishterë aktiv dhe shembullor. Në fund të vitit, Perëndia vuri në zemrën e tij dhe të dy miqve të tij që të përgatiteshin për punën e predikimit të Ungjillit. Që të tre më vizitonin shpesh, për të lexuar mësimet e tyre. Gjatë dimrit, u vërtetua karakteri i këtij djali me zemër të gëzuar dhe u dallua se ai kishte zemrën e njerëzve të mëdhenj. Ai kishte filluar një punë që do të zgjaste deri në kohën e Pashkëve, te një këpucar, i cili e detyroi Gjerasimin që të bënte të njëjtën punë që bënin punëtorët e tjerë, por këpucari nuk gjeti asnjë të metë as te cilësia e as te prodhimtaria e tij. Gjerasimi nxori shumë mësime si këpucar dhe iu përkushtua mësimeve shkollore teksa të tjerët flinin. Në atë kohë, nuk lexonte mirë bullgarisht; shokët e tij të klasës e zotëronin bullgarishten shumë më mirë se ai. Por ai u tregua aq shumë i vendosur saqë kapërceu çdo pengesë për t’u përgatitur për shkollën e Samokovit, më 1878. Ai u diplomua më 1882, duke lënë një përshtypje të jashtëzakonshme si student i dalluar, si një i krishterë i përkushtuar e i matur dhe si një punëtor besnik, efektiv dhe tërheqës.
Pasi predikoi për disa muaj në Shkup, ai hyri në marrëdhënie pune me BFBS-në, me kërkesë të dr. [Aleksandër] Tomsonit, me kusht që të punonte për popullin e vet. Ai e vazhdoi këtë punë deri në frymën e fundit, duke bërë punë letrare në Shqipëri dhe duke mbikëqyrur librashitësit e Shoqërisë për Maqedoninë Perëndimore dhe për Shqipërinë. Gjithashtu, ai predikoi kurdoherë që gjente rast.
Në nëntor të vitit 1884, në një udhëtim, u mor peng nga kaçakët shqiptarë, të cilët e kishin ngatërruar me një bankier. Me ta kaloi gjashtë muaj në një vështirësi të patregueshme… Pas lirimit ua bëri të qartë të gjithë miqve se dëshira e tij kryesore ishte lartësimi dhe ungjillëzimi i popullit të vet. Për këtë u mundua me gjithçka kishte dhe punoi përtej fuqive njerëzore, duke predikuar, duke mësuar të tjerët, duke shkruar himne dhe duke përgatitur materiale letrare.
Pas martesës u zhvendos në Korçë, ku predikoi rregullisht, pavarësisht pengesave nga pala greke. Me ndihmën e së motrës [Sevastisë], ai themeloi shkollën e parë dhe të vetme për vajza dhe krijoi fonde për një godinë, të cilën e pajisi për të qenë shkollë dhe kishëz. Pala greke ishte e zemëruar për suksesin e tij përballë kundërshtimeve të tyre, kështu, para një viti, u bë një atentat për ta vrarë, në shtëpinë e tij. Kjo nuk e ndaloi Gjerasimin, i cili qëndroi në vendin që kishte zgjedhur deri në qershor, kur u sëmur. Ai shkoi në Manastir me shpresë që të mjekohej, por vdiq nga tuberkulozi, e njëjta sëmundje që i kishte marrë të shoqen, dy vjet më parë. Ndonëse i sëmurë, u tregua i durueshëm e i gëzuar dhe, kur kuptoi se nuk i kishte mbetur shumë kohë në këtë tokë, ishte i lumtur për shpresën që mbante se, së shpejti, do të ishte pranë Shpëtimtarit të tij. Ai zbriti për te lumi me gëzim dhe, pavetëdijshëm, e kaloi lumin më 2 janar 1894.
Qiriazi ishte një predikues tërheqës dhe efektiv, një mik i urtë dhe bujar, i cili i la përshtypje mbresëlënëse çdokujt që takoi, një udhëheqës i lindur, plot besim dhe energji, gjithmonë me shpresë dhe me dhunti e talent pa kufi. Ai ishte i përkushtuar nga ana shpirtërore, duke folur shpesh me Krijuesin e tij. Për të ishte e natyrshme dhe e lehtë që të fliste për tema shpirtërore. Na u duk sikur ishte i pajisur nga Perëndia, në mënyrë të veçantë, për një punë të madhe për bashkëkombësit e vet.
Pasi mbaroi shkollën [në Manastir], ishte student i përkushtuar [në Samokov]. Si gjuhëtar kishte aftësi të rralla. Miqtë e tij shpresonin se do të jetonte gjatë dhe do të përgatiste literaturë të krishterë në shqip, si dhe do të përkthente në atë gjuhë librat e Dhiatës së Vjetër, të cilët ende janë të pabotuar, por u thirr [nga Zoti] kur ishte rreth tridhjetë e pesë vjeç. Ai kishte arritur të botonte Ungjillin sipas Mateut dhe Zanafillën, në alfabetin e ri shqip, dhe një botim të rishikuar të Psalmeve, në alfabetin grek. Ai përgatiti edhe rreth pesëdhjetë himne në gjuhën shqipe.
Familja e tij dhe miqtë e ndiejnë këtë humbje si një goditje të patregueshme. Bashkëkombësit e vet, të cilët kanë pritur shumë prej tij, në çështjen e arsimit dhe letërsisë, do të vajtojnë humbjen e tij. Protestantët e Turqisë Europiane paskan humbur një udhëheqës pikërisht në kohën kur ishte më i përgatitur për të kryer atë veprimtari së cilës i kishte kushtuar jetën. Ata, për një kohë të gjatë, do ta kujtojnë si një ndër udhëheqësit e krishterë më të rrallë e më të urtë. Ishte “njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë”
[Citati/rreshti i fundit u mor nga Dhiata e Re, Veprat e Apostujve 6:5, referencë për Stefanin, dëshmorin e parë të krishterë, ISSHP].